Drejtoria e Doganave dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së po punojnë intensivisht për finalizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili pritet të nënshkruhet së shpejti ndërmjet dy institucioneve. Nënshkrimi i këtij dokumenti me departamentin amerikan, në kompetencat e të cilit bën pjesë edhe Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së, ka rëndësi historike për shtetin. Këtë e theksoi drejtori Boban Nikollovski gjatë paraqitjes së tij në edicionin qendror të lajmeve në Radio Televizionin e Maqedonisë.
Nisma është dakorduar gjatë vizitës zyrtare të punës së drejtorit Nikollovski në SHBA. Për realizimin e saj, Nikollovski shprehu mirënjohje për Ambasadën Amerikane dhe për Programin Ndërkombëtar të Trajnimit dhe Ndihmës për Hetimet Penale (ICITAP), i cili funksionon në kuadër të Divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Sipas drejtorit, vizita në Shërbimin e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së përfaqëson një shpërblim dhe vlerësim për përkushtimin e Doganës në fushën e sigurisë kufitare dhe rëndësia e saj është edhe më e madhe, pasi një vizitë e tillë realizohet për herë të parë në historinë e Drejtorisë së Doganave.
„Ky është një moment historik, sepse një vizitë e tillë pune, gjatë së cilës është dakorduar nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, nuk ka ndodhur më parë, dhe pikërisht udhëheqja aktuale e Drejtorisë së Doganave e bëri këtë hap. Përparimi që do të arrijmë në Drejtorinë e Doganave do të jetë i dukshëm në të gjithë territorin e shtetit. Kjo nënkupton shkëmbim më të shpejtë të informacionit, në kohë reale, teknologji të reja në punë dhe trajnime të reja të avancuara“, theksoi drejtori.
Nikollovski thekson se qëllimi i përbashkët është i qartë: kufij më të sigurt, kontrolle doganore më efikase dhe lehtësim i tregtisë legale.
Nëpërmjet partneriteteve të fuqishme ndërkombëtare, metodave bashkëkohore të analizës së riskut dhe bashkëpunimit të përkushtuar institucional, mbetemi të vendosur fuqishëm për modernizimin e Drejtorisë së Doganave dhe forcimin e kapaciteteve të saj operacionale, në interes të shtetit tonë, ekonomisë dhe sigurisë së qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume