Filluan debatet publike për Kodin e ri Penal – dënime më të ashpra për korrupsion dhe keqpërdorime, deri në 15 vjet burg
Ministria e Drejtësisë sot, me një debat publik profesional në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, nisi ciklin e konsultimeve për Kodin e ri Penal, i cili pas pothuajse tri dekadash pritet të zëvendësojë Kodin në fuqi të vitit 1996.
Në fjalimin e tij, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, theksoi se ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe teknologjike, si dhe shfaqja e formave të reja të kriminalitetit, kërkojnë një reformë të mirëfilltë të legjislacionit penal dhe jo më ndryshime të pjesshme, siç është vepruar deri më tani.
“Sot, në të parin nga katër debatet profesionale, hapim një kapitull të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Pas pothuajse tri dekadash, Maqedonia është në prag të miratimit të një Kodi tërësisht të ri Penal, i cili duhet të vendosë themelet e një sistemi juridiko-penal bashkëkohor, efikas dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, theksoi Shasivari.
Një nga prioritetet e kësaj reforme është forcimi i përgjegjësisë penale për korrupsionin dhe keqpërdorimet në sektorin publik. Me Kodin e ri rishikohen dispozitat e nenit të deritanishëm 353, që ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, ndërsa keqpërdorimet në prokurimet publike, koncesionet dhe partneritetet publiko-private trajtohen në mënyrë të veçantë në legjislacionin penal. Për format më të rënda të këtyre veprave parashikohen dënime deri në 15 vjet burg.
Kodi i ri parasheh gjithashtu sistematizimin dhe kodifikimin e veprave penale, përmirësimin e sistemit të dënimeve dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Shasivari nënvizoi se ashpërsia e dënimeve është vetëm një nga aspektet e luftës kundër kriminalitetit. Po aq rëndësi kanë përkufizimi i qartë i veprave penale, përcaktimi i drejtë i përgjegjësisë penale dhe mundësia që dispozitat ligjore të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme dhe konsekuente në praktikën gjyqësore.
“Qytetarëve nuk u kemi borxh vetëm një ligj të ri. U kemi borxh një drejtësi që funksionon”, u shpreh ministri, duke bërë thirrje për një debat të hapur, profesional dhe të mbështetur në argumente.
Në hartimin e Kodit të ri Penal janë përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Versionet e punës janë publikuar në ENER, ndërsa teksti i është dërguar për mendim edhe Komisionit Evropian.
Në debatin e sotëm morën pjesë përfaqësues të komunitetit akademik, sektorit joqeveritar, ambasadave, OSBE-së, gjykatave, prokurorive publike, Odës së Avokatëve, si dhe anëtarë të grupit të punës.
Ministria e Drejtësisë organizon debatet profesionale në rajonet që mbulojnë katër gjykatat e apelit në vend, në mënyrë që, para finalizimit të tekstit ligjor, të diskutohen çështjet juridike që mbeten të hapura dhe të dëgjohen propozimet e profesionistëve që e zbatojnë drejtpërdrejt legjislacionin penal.
Pas debatit të sotëm në Shkup, konsultimet do të vazhdojnë në Gostivar, Shtip dhe Manastir.

