Ka përfunduar ndërtimi i objektit shtesë me katër klasa të reja dhe tualete, në kuadër të
shkollës fillore „Aco Shopov“ në vendbanimin Radishani, në komunën e Butelit të Shkupit.
Investimi prej 37 milionë denarësh, të siguruar nga buxheti i Ministrisë së arsimit dhe
shkencës, do të mundësojë regjistrimin e rreth 100 nxënësve të tjerë nga kjo komunë në
shkollë.
Objekti i ri u vu sot në përdorim nga kryetari i Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski,
ministrja e Arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska dhe kryetari i komunës, Darko
Kostovski.
“Nevoja për zgjerimin e kapaciteteve ishte reale dhe si Qeveri, si Ministri, në bashkëpunim
me vetëqeverisjen lokale, e mundësuam këtë. Në objektin e ri do të zhvillohet mësimi
tërëditor për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë”, tha Janevska.
Ajo shtoi se synimi i Qeverisë është që koncepti i punës me një ndërrim dhe i mësimit
tërëditor të zgjerohet në sa më shumë shkolla në Maqedoni, për shkak të përfitimeve të
shumta – socializimit më të madh të fëmijëve, përqendrimit më të mirë gjatë orëve të mësimit
në mëngjes, më shumë aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore, si dhe uljes së
shpenzimeve për funksionimin e shkollave.
Nga gjithsej 1023 objekte shkollore në vend, më shumë se 620 funksionojnë me një ndërrim.
Aktualisht, Ministria e arsimit dhe shkencës është duke realizuar 20 projekte për zgjerimin e
kapaciteteve të shkollave, me qëllim zbatimin e këtij koncepti të punës në më shumë komuna.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume