Rreth 190 mijë euro u mblodhën për shërimin e Endrit Azemit nga Gjilani, i cili pretendonte se vuante nga Leukemia Akute. Por, 20-vjeçari u arrestua më 22 nëntor, nën dyshimin se kishte sajuar sëmundjen për të përfituar financiarisht nga qytetarët.

Në dëshminë e dhënë para prokurorisë, të cilën e ka siguruar Kiks Kosova, Azemi ka deklaruar se është shëndoshë e mirë dhe se asnjëherë nuk ishte diagnostikuar me Leukemi. Ai pretendon se ishte detyruar dhe kërcënuar nga 23-vjeçari Jon Sadiku për të realizuar mashtrimin.

Sipas tij, Sadiku kishte organizuar të gjithë planin, kishte falsifikuar dokumentet e spitalit Acibadem në Turqi dhe i kishte premtuar 10 mijë euro nga shuma e mbledhur.

Por, Sadiku i ka mohuar këto pretendime në një bisedë telefonike me Kiks Kosovën. Ai ka thënë se e kishte ndihmuar Endritin sepse kishte besuar se ishte i sëmurë, duke mohuar se e kishte kërcënuar, falsifikuar dokumente apo se kishte planifikuar të përfitonte para nga ky rast.

Ndërkohë, familjarët e Endritit kanë deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni për mashtrimin. Motra e tij, pjesëtare e FSK-së, e cila kishte dalë publikisht për të kërkuar ndihmë financiare, dy ditë para arrestimit të tij, tha se vetullat dhe flokët 20-vjeçarit i kishin rënë nga mungesa e vitaminave.

Nga apeli për ndihmë u grumbulluan 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Sipas informatave të Kiks Kosovës, as Endriti dhe as familjarët e tij nuk kanë shpenzuar para nga kjo shumë. Llogaritë bankare të tyre janë bllokuar, ndërsa fondet e mbledhura përmes GoFundMe u janë kthyer donatorëve.

Ndërkohë, Kiks Kosova mëson se organet e hetuesisë kanë nisur të sigurojnë listat e personave të cilët kanë dhënë donacione në sheshin e qytetit të Gjilanit, në mënyrë që të gjithë të marrin paratë e tyre mbrapsht.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume