Marrëveshje e re mes Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Intesa Sanpaolo Bank për mbështetjen e inovacionit dhe tranzicionit të gjelbër të bizneseve shqiptare, përmes një granti të Bashkimit Evropian.
Mbështetja e re plotëson linjën e kredisë prej 20 milionë eurosh që BEI-ja i ka dhënë Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Granti jepet nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së.
Në kuadër të një marrëveshjeje të re ndërmjet Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), bizneset shqiptare do të kenë të drejtë të përfitojnë grante për të nxitur inovacionin teknologjik dhe veprimin për klimën. Sipas marrëveshjes, Intesa Sanpaolo Bank Albania do të vërë në dispozicion të kompanive një grant të Bashkimit Evropian prej 2 milionë eurosh për projekte në fusha që shtrihen nga zhvillimi digjital deri te bujqësia e qëndrueshme.

Grantet individuale për kompanitë do të mbulojnë deri në 10% të kostove të projekteve të tyre, duke ofruar një nxitje shtesë për investime në një kohë kur Shqipëria synon të anëtarësohet në BE. Ndër projektet e inovacionit që mund të përfitojnë mbështetje janë digjitalizimi i veprimtarive të biznesit dhe përdorimi i teknologjive të përparuara, si inteligjenca artificiale, robotika dhe bioteknologjia. Në fushën e qëndrueshmërisë, mund të përfitojnë mbështetje nismat për bujqësinë e gjelbër, ekoturizmin, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ruajtjen e ekosistemeve.

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar të mbështesë sektorin privat të Shqipërisë nëpërmejt një sërë programesh dhe instrumentesh financiare, përfshirë mbështetjen nëpërmejt EIB-it, bankës së BE-së, si dhe bankave tregtare si Intesa Sanpaolo,” tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. “Qëllimi ynë është të ndihmojmë në ndërtimin e një ekosistemi dinamik dhe të shëndetshëm të inovacionit, të aftë për të konkurruar me homologët e tij evropianë deri në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe më tej, duke krijuar vende pune dhe gjeneruar mirëqenie për qytetarët shqiptarë.”

Granti i BE-së plotëson linjën e kredisë prej 20 milionë eurosh që Intesa Sanpaolo Bank Albania mori më herët këtë vit nga BEI-ja në kuadër të “Instrumentit për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër”.

“Ky grant do t’i ndihmojë kompanitë të rrisin investimet në inovacion dhe të përshpejtojnë tranzicionin e tyre digjital dhe të gjelbër”, tha drejtori i BEI-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Richard Amor. “Teksa kompanitë shqiptare digjitalizohen, dekarbonizohen dhe përvetësojnë modele të reja biznesi, ato do të bëhen më konkurruese dhe do të kontribuojnë në procesin e integrimit të vendit në BE.”

BEI-ja dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen e grantit gjatë një konference BE–Ballkani Perëndimor për investimet.

“Në Intesa Sanpaolo Bank Albania, ne e shohim veten si partner afatgjatë të bizneseve, duke mbështetur aftësinë e tyre për të investuar, për të sjellë risi dhe për të konkurruar në një treg europian gjithnjë e më dinamik. Duke kombinuar linjën e kredisë prej 20 milionë Euro të Bankës Europiane të Investimeve (BEI) me këtë grant prej 2 milionë Euro të BE-së, po i mundësojmë kompanive shqiptare burime financiare shtesë dhe po i ndihmojmë ato të përshpejtojnë investimet në dixhitalizim dhe në tranzicionin e gjelbër, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e qëndrueshme dhe në konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare”, tha Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.

Granti prej 2 milionë eurosh jepet në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), një platformë kyçe e BE-së për nxitjen e zhvillimit socioekonomik në rajon.

Informacion shtesë

Grupi i BEI-së  

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) është krahu financiar i Bashkimit Evropian. Ai është në pronësi të 27 shteteve anëtare dhe është një nga bankat më të mëdha shumëpalëshe të zhvillimit në botë. Në vitin 2025, Grupi i BEI-së nënshkroi marrëveshje për financime të reja dhe shërbime këshillimore me vlerë 100 miliardë euro për mbi 870 projekte me ndikim të lartë. Projektet u përkasin tetë prioriteteve kryesore që mbështesin objektivat e politikave të BE-së: veprimi për klimën dhe mjedisin, digjitalizimi dhe inovacioni teknologjik, siguria dhe mbrojtja, kohezioni territorial, bujqësia dhe bioekonomia, infrastruktura sociale, partneritetet e forta globale dhe Bashkimi i Kursimeve dhe Investimeve. Përveç kredive afatgjata për projekte të mëdha infrastrukturore, Grupi i BEI-së mobilizon investime private për projekte dhe biznese novatore me rrezik të lartë. Ai luan një rol gjithnjë e më të madh në tregjet evropiane të kredive për sipërmarrjet novatore, të kapitalit sipërmarrës, të garancive dhe të titullizimeve.

Fondi Evropian i Investimeve (FEI) është filiali i Grupit të BEI-së që specializohet në ofrimin e garancive, të titullizimeve dhe të financimit me kapital për t’ua lehtësuar qasjen në financim bizneseve të vogla e të mesme dhe sipërmarrjeve të reja në mbarë Evropën. Në rolin e investitorit kryesor, FEI-ja mobilizon investime private përmes rrjetit të gjerë të bankave partnere dhe të fondeve të investimit. Ajo gjithashtu nxit zhvillimin e ekosistemit të fondeve të kapitalit sipërmarrës për të mbështetur sipërmarrësit novatorë evropianë.

Në vitin 2023, FEI-ja, së bashku me gjashtë shtete anëtare (Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Belgjikën dhe Holandën), nisi Nismën Evropiane për Kampionët e Teknologjisë, një fond fondesh që mbështet rritjen e sipërmarrjeve të reja novatore. Deri më sot, kjo nismë ka mundësuar krijimin e 15 megafondeve evropiane të kapitalit sipërmarrës dhe rritjen e 45 kompanive, përfshirë 12 kompani “njëbrirëshe” (me më shumë se 1 miliard euro kapital). Fotografitë e përfaqësuesve dhe të selisë së Grupit të BEI-së, skedarët e logos dhe pamjet filmike plotësuese për përdorim nga mediat gjenden këtu. 

Rreth Intesa Sanpaolo Bank Albania

Intesa Sanpaolo Bank Albania, pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, është një institucion financiar lider i angazhuar për ofrimin e zgjidhjeve bankare inovative për klientët e korporatave, institucionet, SME-të, bizneset e vogla, me vlerë të lartë neto dhe klientët individë. Me një fokus të veçantë në rritjen e qëndrueshme, ne integrojmë parimet ESG në operacionet tona, duke nxitur zhvillimin e përgjegjshëm bankar dhe komunitetin. Shërbimet tona të menaxhimit të pasurisë ofrojnë strategji financiare të përshtatura për të ruajtur dhe rritur asetet e klientëve duke diversifikuar portofolet e tyre të investimeve. Duke ruajtur integritetin, transparencën dhe bashkëpunimin, ne kontribuojmë në përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes konkurrencës së ndershme dhe partneriteteve strategjike. Me një rrjet kombëtar prej 35 degësh, ne vazhdojmë të zgjerohemi në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Faqja zyrtare e internetit: www.intesasanpaolobank.al

BEI-ja në Shqipëri

BEI-ja është aktive në Shqipëri që prej vitit 1995. Deri më sot, janë financuar 29 projekte dhe është investuar 1 miliard euro, kryesisht në infrastrukturën kyçe të transportit, të energjisë, të furnizimit me ujë dhe të trajtimit të ujërave të ndotura. Për më shumë informacion rreth projekteve të BEI-së në Shqipëri, vizitoni faqen: Shqipëria dhe BEI-ja

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume