Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në raportet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk ka vërejtur ndonjë qëndrim rezervues apo ndjenjë superioriteti ndaj gjuhës shqipe. Megjithatë, Rama theksoi se kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë vigjilencë dhe vëmendje për të mos lejuar asnjë prapakthim në raport me gjuhën shqipe

“Për hir të së vërtetës, dua të them që kryeministri Mickoski nuk më ka lënë në asnjë moment përshtypjen e dikujt që ka rezerva ndaj gjuhës shqipe apo që ka një qasje superioriteti të gjuhës maqedonase ndaj shqipes. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ne nuk do të jemi vigjilentë dhe të vëmendshëm, apo se mund të tolerojmë në heshtje ndonjë prapakthim në raport me gjuhën shqipe“, deklaroi Rama në Podkastin “Rishtazi” në KohaCast.