Një tragjedi e rëndë ka tronditur provincën e Java-s Perëndimore në Indonezi, ku të paktën 13 persona kanë humbur jetën pas përmbytjes së një miniere të paligjshme ari. Mbi 13 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë në kushte tejet të vështira.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, në zonën e Bogorit, ku 26 minatorë po punonin në një minierë me thellësi rreth 100 metra. Reshjet e dendura të shiut shkaktuan daljen nga shtrati të një lumi pranë zonës, duke përmbytur dy tunelet ku ndodheshin punëtorët.

Autoritetet konfirmuan të enjten se 13 trupa janë nxjerrë nga vendngjarja. Ndërkohë, fati i të paktën 13 minatorëve të tjerë mbetet i paqartë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen me vështirësi të mëdha, pasi tunelet janë të errëta, të ngushta dhe të rrëshqitshme, ndërsa uji vazhdon të depërtojë nga pjesët e poshtme të minierës. Ekipet po përdorin litarë dhe pajisje speciale për të arritur në thellësi.

Përgjegjësja e Zyrës së Kërkim-Shpëtimit në Xhakartë, Desiana Kartika Bahari, deklaroi se thellësia e minierës, hyrjet e ngushta dhe mungesa e ndriçimit përbëjnë pengesa serioze për operacionin.

Minierat e paligjshme, një problem që vazhdon të marrë jetë

Nxjerrja e arit në shkallë të vogël pa leje është e ndaluar në Indonezi, por aktiviteti vijon të jetë i përhapur në zona të ndryshme rurale të vendit.

Sipas studimeve, gjatë dekadës së fundit ky aktivitet është zgjeruar ndjeshëm, i nxitur edhe nga rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2026, çmimi i metalit të çmuar arriti nivele rekord, duke nxitur zgjerimin e aktivitetit minerar.

Zona ku ndodhi tragjedia lidhet me një leje minerare të kompanisë shtetërore Aneka Tambang (Antam). Megjithatë, kompania ka deklaruar se miniera ku ndodhi përmbytja nuk ishte pronë e saj dhe se operonte pa autorizimin e saj.

Ndërkohë, Policia Rajonale e Javës Perëndimore njoftoi se vetëm gjatë muajve tetor dhe nëntor kishte zbuluar 24 raste të shfrytëzimit të paligjshëm të minierave në provincë.

Ekspertët paralajmërojnë se përmasat reale të këtij aktiviteti janë shumë më të mëdha nga sa raportojnë autoritetet. Sipas Bisman Bakhtiar, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimet e Ligjit të Energjisë dhe Minierave, zbatimi i ligjit nuk ka arritur ta frenojë fenomenin.

Një tjetër shqetësim është edhe korrupsioni. Ish-zëvendëskryetari i Komisionit për Çrrënjosjen e Korrupsionit, Laode M. Syarif, ka deklaruar se shumë miniera të paligjshme mbrohen nga persona me ndikim, përfshirë pjesëtarë të policisë, ushtrisë dhe zyrtarë të administratës lokale e rajonale.

Pavarësisht rreziqeve, për mijëra banorë të zonave rurale, puna në këto miniera mbetet një nga mundësitë e pakta për të siguruar të ardhura.

Por mungesa e standardeve të sigurisë, ndërtimi i pakontrolluar dhe kushtet e rrezikshme të punës i ekspozojnë minatorët ndaj shembjeve, përmbytjeve dhe gazrave toksikë. Tragjedia e fundit në Bogor është një tjetër dëshmi e kostos së rëndë njerëzore që po paguhet nga ky aktivitet i paligjshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume