“A ka festë në Tetovë kur flamuri shqiptar mungon në sheshe dhe bulevarde?” – Murtezani kërkon reflektim nga Kasami
Në prag të festave të Nëntorit, këshilltari komunal nga Lidhja Shqiptare, Arlind Murtezani, ka ngritur shqetësimin për mungesën e flamurit shqiptar në hapësirat publike të Tetovës, duke kërkuar përgjegjësi dhe reflektim nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami informon Tetovasot.
“Historia shpesh i ka dënuar popujt që kanë harruar kujtesën e tyre. Në këtë nëntor na duhet një reflektim se sa jemi dhe si jemi, dhe sa po i qëndrojmë besnikë amanetit tonë shekullor për komb dhe atdhe”, shkruan Murtezani.
Ai i drejtohet drejtpërdrejt kryetarit Kasami, duke kujtuar debatin për vendosjen e flamujve me simbolin e Diellit të Vergjinës në Tetovë.
“Sot është koha të reflektoni edhe ju. Kur kërkoja përgjegjësi për vendosjen e flamujve me Diellin e Vergjinës, ju arsyetoheshit se kjo ishte përgjegjësi e policisë dhe jo e Komunës. Por sot, kur në sheshet dhe bulevardet e Tetovës mungon flamuri shqiptar, simbol i lejuar me ligj, pyetja është: pas kujt do ta fshihni këtë herë mungesën e vullnetit?”, shprehet Murtezani.
Sipas tij, ka një dallim të madh mes reagimit ndaj simboleve të tjera dhe heshtjes ndaj flamurit shqiptar.
“Për flamujt e Vergjinës kishit justifikime, për flamurin shqiptar keni heshtje”, përfundon reagimi i këshilltarit komunal të Lidhjes Shqiptare.
A KA FESTË NË TETOVË, KUR FLAMURI SHQIPTAR MUNGON NË SHESHE DHE BULEVARDE?
Historia shpesh ka dënuar popuj dhe mallkime të tilla na kanë rënë hise gjithmonë, për shkak të kujtesës sonë të shkurtër kolektive. Prandaj, në këtë nëntor na duhet një reflektim vetanak se SA JEMI dhe SI JEMI, dhe sa po i qëndrojmë besnikë amanetit tonë shekullor për komb dhe atdhe.
Bilall Kasami, sot është koha të reflektoni edhe ju!
Kur unë kërkoja përgjegjësi për vendosjen e flamujve me Diellin e Vergjinës në sheshet e Tetovës, simbol që ndalohet me Marrëveshjen e Prespës, ju arsyetoheshit se kjo është përgjegjësi e policisë dhe jo e Komunës.
Por, pavarësisht denoncimeve të mia, ju nuk kishit paraqitur as rast në polici. Atëherë, pafuqinë politike për të reaguar ndaj VMRO-së e fshihnit pas policisë!
Sot, kur në bulevardet dhe sheshet e Tetovës mungon flamuri shqiptar, simbol i lejuar me ligj, ju pyes publikisht: Pas kujt do ta fshihni këtë herë mungesën e vullnetit tuaj?
Për flamujt e Vergjinës kishit justifikime, për flamurin shqiptar keni heshtje!
Në këtë nëntor, reflektoni edhe ju për amanetin që na ka lënë historia.
Arlind Murtezani Keshilltarë komunal
Lidhja Shqiptare🇦🇱