Mexhiti: Muzika dhe kultura shqiptare na bashkojnë përtej kufijve – Rona Nishliu dhe The New Orchestra në festimet e Nëntorit në Çair
Në kuadër të manifestimit “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, sonte në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut u mbajt koncerti i këngëtares së njohur shqiptare Rona Nishliu, e shoqëruar nga The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Koncerti solli para publikut një mbrëmje të veçantë artistike, duke afirmuar vlerat e muzikës dhe kulturës shqiptare.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi rolin historik të muzikës në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve, duke vlerësuar njëkohësisht rëndësinë e pranisë së artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në manifestimet kulturore të Çairit.
“Prania e artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në festat tona ka një domethënie të veçantë, sepse përtej kufijve, gjithmonë kemi ndarë me njëri-tjetrin gjuhën, kulturën dhe dashurinë për artin shqiptar. Është pikërisht kjo frymë që duam ta kultivojmë në Çair, duke krijuar gjithnjë e më shumë hapësirë për takime të tilla artistike e kulturore”, theksoi kryetari Mexhiti.
Koncerti ishte pjesë e programit festiv të organizuar nga Komuna e Çairit në nder të festave të Nëntorit dhe 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Festimet do të kulmojnë nesër, më 28 Nëntor, në orën 14:00, me manifestimin qendror “20 Vjet Krenari” në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.









