Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregulla të reja për kreditë banesore në Maqedoninë e Veriut, të cilat parashikojnë kushte më të rrepta për qytetarët që tashmë kanë një banesë dhe dëshirojnë të blejnë një tjetër pronë të paluajtshme.

Sipas rregullave të reja, personat që blejnë banesë të dytë apo të tretë do të mund të marrin kredi më të vogla dhe do të duhet ta shlyejnë atë për një periudhë maksimale prej 25 vjetësh, në vend të 30 viteve sa ishte deri më tani.

Gjithashtu, do të ulet edhe pjesa e pagës mujore që mund të përdoret për pagesën e kësteve të kredisë.

Për shembull, për një qytetar me pagë mujore prej 60.000 denarësh, ndryshimet nënkuptojnë rreth 3.000 denarë më pak mjete të disponueshme për shlyerjen e kredisë.

Ndryshe nga këto kufizime, për blerësit e banesës së parë kushtet mbeten të pandryshuara.

Për një banesë me vlerë prej 100.000 eurosh, kërkohet pjesëmarrje fillestare prej së paku 10.000 eurosh, ndërsa kredia mund të shlyhet për një periudhë deri në 30 vjet.

Me këto ndryshime, Banka Popullore synon të kufizojë mbingarkimin financiar dhe borxhet e tepërta të qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume