Roberto Mancini parashikon se Roma do ta fitojë titullin e Serie A këtë sezon, ndërsa kritikon klubet italiane për mungesën e interesimit ndaj kombëtares së Italisë.
Përzgjedhësi italian gjithashtu thekson se Nicolò Zaniolo “duhet të jetë një yll i futbollit italian”.
Mancini dha një intervistë për gazetën “Corriere dello Sport” të shtunën, ku foli edhe për largimin e tij nga kombëtarja e Italisë në gusht të vitit 2023, duke zbuluar se fillimisht e kishte refuzuar menjëherë këtë mundësi, disa javë para se të emërohej trajner i kombëtares së Arabisë Saudite.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te dy ndeshjet e fundit të Italisë, të cilat përfunduan me fitoren 3-1 ndaj Francës dhe humbjen 4-1 nga Belgjika.
“U treguam paksa të pakujdesshëm në disa situata defensive”, deklaroi ai.
“Besoj se dy humbjet ndaj Belgjikës do të rezultojnë më të rëndësishme dhe më formuese sesa dy ndeshjet kundër Francës”, shtoi ai.
Italia ka dështuar të kualifikohet në tri edicionet e fundit të Kampionatit Botëror, por Mancini beson se “Azzurrët” duhet të synojnë gjithmonë trofeun më të madh të futbollit.
“Nuk mund të përpiqesh të arrish diçka nëse nuk beson plotësisht në të”, theksoi ai.
Përzgjedhësi italian kritikoi gjithashtu klubet e Serie A, duke thënë se ato nuk kanë interesim për zhvillimin e kombëtares së Italisë.
“Klubet nuk kanë interesim për kombëtaren, e cila duhet t’i gjejë vetë zgjidhjet”, u shpreh Mancini.
“Nuk ka kuptim të ankohemi për një situatë që po zhvillohet prej të paktën 20 vjetësh. Thjesht duhet t’i gjejmë lojtarët dhe t’u japim përvojë, edhe nëse kjo nënkupton rrezikun e disa humbjeve”, tha ai tutje.
Mancini foli edhe për parashikimin e tij rreth fituesit të Serie A për sezonin 2026/27.
“Besoj se Roma do ta fitojë titullin. Interi është skuadra më e mirë. Në fillim kisha shumë besim te Napoli, por ata kanë pasur shumë lëndime. Sa i përket Lazios, do të them vetëm këtë: mos vini bast se do të shembet”, deklaroi ai.
Në fund, Mancini foli edhe për futbollistë të veçantë, duke u ndalur sidomos te Nicolo Zaniolo i Udineses.
“Nuk dua të kthehem shumë prapa. Mendoj se Zaniolo ka potencial të jashtëzakonshëm”, tha Mancini.
“Kur e ftova për herë të parë në Përfaqësuese, në stërvitjen e parë dukej si një djalosh që luante me të rriturit. Në stërvitjen e tretë, dukej si një i rritur që luante me të rriturit. Duke pasur parasysh cilësitë e tij fizike dhe teknike, sot ai duhet të jetë një yll i futbollit italian”, u shpreh italiani.
“Unë ftoj lojtarët që janë në formë të mirë në momentin kur bëhen grumbullimet, ata që mund t’i japin diçka ekipit. Nico është sjellë gjithmonë mirë me mua, pavarësisht problemeve personale që ka pasur. Shpresoj që të bëjë gjithçka për t’u rikthyer”, përfundoi ai.
Mancini e ka ftuar Zaniolon dy herë që nga rikthimi i tij në stolin e Italisë, por sulmuesi është tërhequr në të dyja rastet: fillimisht për shkak të një lëndimi dhe më pas për arsye personale.