Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë publike një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar më 28 nëntor 2026 në Tiranë.

Sipas të dhënave paraprake nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore 50 persona, mes tyre 17 efektivë policie, 21 protestues, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.

Nga efektivët e Policisë, një person vijon të jetë i shtruar në spital, ndërsa dy prej protestuesve po marrin ende trajtim mjekësor. Njëri prej tyre është paraqitur me kontuzion të bulbit okular, pa praninë e një trupi të huaj në sy, dhe po ndiqet nga mjekët specialistë.

Gjithashtu, në spital vijon të jetë i shtruar një gazetar dhe një kalimtar, të cilët ndodhen nën kujdesin e personelit mjekësor.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 persona të lënduar. Bëhet fjalë për 8 efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të 11 personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Në total, nga të dyja strukturat spitalore janë trajtuar 61 persona, ndërsa të tjerët janë larguar pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume