Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron ta tërheqë Serbinë në konflikt të hapur dhe luftë me NATO-n.

“Kurti nuk do të ndalet. Në fund të fundit ai nuk do realizimin e Asociacionit, sepse ai e di që ky komunitet duhet të jetë në përputhje me parimet që unë dhe Isa Mustafa i kemi siguar në vitin 2015. Ata nuk duan t’i miratojnë parimet. Ai (Kurti ) do luftë, për të na tërhequr në luftë. Ai dëshiron të jetë udhëheqës lufte, sepse kjo i mungon në biografinë e tij. Ai është një enverist, një marksist”, tha Vuçiq për “Pink”.

Vuçiq tha gjithashtu se sot do të takohet sërish me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Sipas Vuçiqit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke.

Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.

Ai ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume