Sot jemi këtu, për ta pyetur ministrin Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët se a është ministër apo është opozitar? Ne nuk duam të besojmë se ai është bërë kukull.
Pas deklarimit të tij se ai nuk pajtohet me ndryshimet e Kodit Penal, duke e hedhur topin te zëvendësministrja, ne jemi sot këtu që t’i themi se nëse vërtet nuk pajtohet me ato ndryshime dhe se zëvendësministrja e ka keqpërdorur mosprezencën e tij në seancën e qeverisë për t’i kontrabanduar ndryshimet në Kodin Penal, të propozuara nga ministria që ai e udhëheq, atëherë le të japë dorëheqje. Ai nuk mund të qëndrojë ulur në dy karrige – edhe të jetë në pushtet dhe në opozitë.
Nëse vërtet zëvendësministrja e Drejtësisë, pa dijeninë e ministrit Krenar Lloga, i ka propozuar ndryshimet e Kodit Penal në seancën e qeverisë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë bën Aleanca në qeveri? Pse Krenar Lloga dhe Aleanca vazhdojnë të qëndrojnë si dekor në Qeveri nëse nuk mund ta heqin macen nga përsheshi? A po e durojnë gjithë këtë poshtërim vetëm për tenderët e majmë në institucionet që i udhëheqin apo mos duan ta shtojnë ndonjë shtëpi të Taftalixhe?
Nëse thonë se nuk kanë parë gjë e nuk kanë dëgjuar gjë, atëherë shtrohet pyetja se mos vallë ua ka zënë sytë korrupsioni, apo mos presin t’i nxjerrin nga qeveria e këtë ta marrin vesh nga mediat?
Ju lutem, le të bëhemi seriozë! Krenar Lloga, me shfajësime që më shumë ngjajnë në mashtrime, kërkon amnisti politike vetëm pasi BE-ja reagoi ashpër ndaj amendamenteve të Kodit Penal. Meqë aq shumë e dashka drejtësinë, pse nuk e mbështeti amendamentin e AlternAtivA-s për mosvjetërsimin e korrupsionit politik? Por, shqiptarët nuk bien pre e dredhive të tilla. Kjo padrejtësi që po instalohet do të dënohet ashpër në zgjedhje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume