Në një takim të ngrohtë dhe miqësor me mikun tim, Pepo Levi, kryetar i Komunitetit Hebraik në Maqedoninë e Veriut, ndamë shqetësimet e përbashkëta mbi zhvillimet dramatike që po ndodhin në disa zona të Izraelit dhe rripit të Gazës, si rezultat i sulmeve terroriste të HAMAS-it.
Me këtë rast z. Levi i shpreha keqardhjen për viktimat civile, të shkaktuara nga çmenduria e një grupi militantësh të HAMAS-it që kanë zënë peng perspektivën e popullit palestinez, me çka po i bëjnë dëm të pariparueshëm marrëdhënieve në mes dy popujve, por edhe stabilitetit rajonal.

“Miku i mirë njihet në ditë të vështira”, është kjo maksima e vjetër e popullit shqiptar, e cila i ka shërbyer si busull orientuese në mjegullat e dendura të histories, ku dora e zgjatur e fqiut ka qenë vendimtare për të shpëtuar fqiun e rrezikuar. Kështu ndodhi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët shpëtuan fqinjët e tyre hebrenj, sepse ky ishte kodi civilizues i tyre, që ndërlidhej me Kanunin, besën dhe mikëpritjen.
Edhe në këto momente dramatike ne jemi me popullin izraelit, i cili pa të drejtë po paguan koston e një sulmi brutal që po e bëjnë militantët e HAMAS-it, një organizatë kjo e cila para disa vitesh me shumë të drejtë u fut në listën e organizatave terroriste nga ana e qeverive në Shkup, Prishtinë e Tiranë.
Vetëm duke dënuar terrorin që imponohet si mjet për synime të caktuara politike e ideologjike, ne mund të jemi të qetë , sepse të luftosh të keqen në oborr të huaj do të thotë të refuzosh që e keqja të të ndodhë edhe në oborrin tënd.
Populli izraelit dhe populli palestinez i kanë udhëheqësitë e tyre legale politike e institucionale, dhe çdo kontest mund ta zgjidhin përmes dialogut dhe mirëkuptimit, por jo duke importuar falangistë të HAMAS-it të cilët po e zëvendësojnë diplomacinë me ligjet absurde të vdekjes, ndërsa popullit palestinez  po ia bëjnë edhe më të errët  mirëqenien dhe perspektivën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume