Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim sot Shaip Kamberin, deputetin shqiptar që zgjidhet për të katërtën herë si pjesë e Kuvendit të Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit që u mbajtën në Serbi.

Kamberi ishte bartës i listës “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”. Në takim me Kurtin të pranishëm ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri dhe nga Aleanca për Luginën, Ilir Sadriu.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Kurti i përgëzoi për rezultatin në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në betejën për pozitën e shqiptarëve të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve”.

“Gjatë bisedës, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë e do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi, që përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume