Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Lidhja e Pejës e udhëhequr nga Haxhi Zeka në vitin 1899, ishte dëshmi se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë unitetin kombëtar.

Kështu ka thënë Haradinaj në përvjetorin e kësaj beslidhje.

“23 janari shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës: Lidhjen e Pejës, e udhëhequr nga Haxhi Zeka, në vitin 1899. Kjo besëlidhje, tregoi se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë unitetin kombëtar për të mbrojtur tokat e tyre. Akti i Besëlidhjes së Pejës ilustron patriotizmin dhe aftësinë për të përballuar sfidat për hir të Atdheut”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kujtuar edhe heroin kombëtar, Isa Boletini, në përvjetorin e rënies.

“Në këtë ditë, kujtojmë edhe heroin kombëtar Isa Boletini, një udhëheqës dhe mbrojtës i pavarësisë së vendit. Fjala e tij, “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia,” shpreh besnikërinë dhe dashurinë ndaj Atdheut. Isa Boletini, si komandant i çetave, jo vetëm që ka qenë një lider popullor, por gjithashtu një burim frymëzimi për ata që vlerësojnë lirinë dhe Atdheun”, është shprehur Haradinaj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume