Ka shqetësime të reja për nivelet e dhunës mes të rinjve francezë pas vdekjes së një nxënësi 15-vjeçar, i cili u rrah pranë shkollës së tij.

Djali u sulmua nga disa njerëz teksa doli nga shkolla të enjten pasdite në Viry-Chatillon, rreth 20 km në jug të Parisit. Ai pësoi një arrest kardiak dhe vdiq një ditë më vonë, tha një burim policor sipas BBC. “Kjo dhunë ekstreme po bëhet e zakonshme”, tha kryebashkiaku i qytetit, Jean-Marie Vilain.

Më herët gjatë ditës, presidenti francez Emmanuel Macron tha se shkollat ​​duhet të “mbrohen” nga “dhuna e pafrenuar midis adoleshentëve tanë dhe ndonjëherë midis atyre gjithnjë e më të rinj”.

Vilain tha për mediat franceze se djali ishte duke ecur në shtëpi pas një klase muzike rreth orës 16:30 me orën lokale të së enjtes, kur u sulmua nga një grup të rinjsh.

Sipas dëshmitarëve, ai është goditur me grushte dhe shkelma nga sulmuesit, të cilët kanë qenë të veshur me kapuç. Ai u dërgua në Necker, një spital pediatrik në Paris, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Policia është ende në kërkim të sulmuesve të tij dhe po studion pamjet e CCTV në përpjekje për t’i identifikuar ata. Vilain tha se ishte i pikëlluar nga sulmi, të cilin ai e përshkroi si “të pakuptimtë” dhe “të papërshkrueshëm”.

Ky ishte incidenti i dytë i tillë brenda një jave në Francë, pasi një vajzë 13-vjeçare u sulmua jashtë shkollës së saj në Montpellier të martën. Tensionet në shkollat ​​franceze janë të larta që nga vrasja e dy mësuesve.

Samuel Paty-t iu pre koka në rrugë në një periferi të Parisit në vitin 2020 dhe Dominique Bernard u vra në shkollën e tij në Arras në tetor të vitit të kaluar. Ish-studentët që ishin radikalizuar ishin të përfshirë në të dyja vrasjet.

Javën e kaluar, drejtori i një shkolle në Paris dha dorëheqjen për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ai u akuzua në mënyrë të rreme se kishte goditur një studente për shkak se mbante një shami në shkollë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume