Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg.

Në takim, Osmani dhe Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së.

Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Në diskutim me ministrin Borg, presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë frymë, Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume