Një 33-vjeçar në Prrenjas ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se trafikonte armë zjarri nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.

Përmes një njoftimi, Policia bën me dije se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov dhe një armë gjahu.

Ndërkohë grupi hetimor dhe Prokuroria vijojnë punën për hetimin e plotë të këtij rasti, për të kuptuar nëse ka persona të tjerë që mund të jenë të implikuar.

Njoftimi i Policisë:

Prrenjas-Finalizohet operacioni policor i koduar “Border Crossing”. Evidentohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve nga RMV-ja në Shqipëri.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 33-vjeçari që dyshohet se ka trafikuar armët, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohet se trafikonte armë nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Border Crossing”.

Gjatë operacionit, në fshatin Skroskë, u lokalizua shtetasi Sh. Ç., i cili kishte me vete, 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 armë gjahu. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai i kishte trafikuar armët, nga RMV-ja në vendin tonë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Ç., 33 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit Sh. Ç., si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume