Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, janar 2023. Foto: AP

Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq tha sot se policia do të përmbushë detyrën e saj dhe do të sigurojë rendin dhe qetësinë publike gjatë festivalit treditor “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, i cili është paralajmëruar të mbahet më 28 qershor.

Data e mbajtjes së këtij festivali përkon me atë të festës serbe “Vidovdan”, që shënon humbjen e Betejës së Kosovës nga serbët.

Ndërkohë, Daçiqi tha se MPB-ja serbe do t’i përgjigjet me sukses rreziqeve të mundshme që mund të shkaktohen nga vendimi i organizatorëve “për të mbajtur një manifestim për promovimin e kulturës së shqiptarëve të Kosovës për ‘Vidovdan’ në Beograd”, gjë që, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, kundërshtohet nga organizata të shumta dhe “paralajmërojnë protesta dhe masa radikale në rast se mbahet”.

“Në këtë rast duhet të ndahen aspekti politik dhe ai i sigurisë. Çështja është se çfarë është më mirë të bëhet në kuptimin politik, pa i shkaktuar dëm shtetit. Prandaj duhet të sigurohet siguria e pjesëmarrësve të ngjarjes. Nëse festivali mbahet, jemi të gatshëm të sigurojmë rendin dhe paqen publike”, tha Daçiqi për televizionin serb “Prva”.

Kryebashkiaku në detyrë i Beogradit, Alleksandar Shapiq, ka thënë përderisa ai është në krye të kryeqytetit serb, qyteti i Beogradit nuk do të japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e “Mirëdita, dobar dan” dhe se të gjitha hapësirat që do të mund të shfrytëzohen do të jenë ekskluzivisht private.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume