Urim Saliu
Ka ardhur një kohë kur shqiptarët sikur kanë filluar të festojnë humbjet dhe t’i quajnë ato fitore. Mbështillemi pas disa datave, pas disa ceremonive dhe disa fjalimeve, duke krijuar një pamje sikur gjithçka është në rregull. Por pas kësaj fasade fshihet një realitet krejt tjetër.
Një komb nuk matet me numrin e manifestimeve që organizon, por me peshën që ka në vendin ku jeton dhe sot e shohin të gjithë se me VLEN dicka nuk shkon sic ndodhte dikur me PDSH-në. Të paktën Gruevski ishte në manifestimet shqiptare , gjë që nuk po ndodhë me Mickovskin që po refuzon të jetë aty.Ai i ka fshirë këto prezenca dhe gjithnjë e më pak shihet në prani të partnerëve të tij në qeverisje.
VLEN mund të mbajë fjalime dhe të përmend emra të mëdhenj të historisë shqiptare, por kur mungon ndjenja e fuqisë dhe e përfaqësimit, atëherë festa mbetet vetëm një dekor.
Mbetet një skenë për fotografi,një moment për t’u dukur por jo një shprehje e vërtetë e dinjitetit.
Shqiptarët menduan se ndryshimi politik do të sillte më shumë peshë, më shumë respekt dhe më shumë hapësirë. Por sot shumë prej tyre kanë ndjenjën se ndodhi e kundërta. Në vend që të ecim përpara, duket sikur kemi humbur atë që dikur ishte fituar me shumë mund.
Mund të kritikohen shumë gjëra nga e kaluara, por një fakt nuk mund të mohohet sepse në periudhën e PDSH-së, veçanërisht gjatë kohës së udhëheqjes së Menduh Thaçit, shqiptarët ndjenin se kishin një forcë politike që e mbante zërin e tyre të ngritur.U themeluan institucione si ai i Trashëgimisë Kulturore, u zyrtarizuan data dhe pikërisht Festa e Alfabetit u bë zyrtare në kohën e PDSH-së.Çdo gjë tjetër nuk u lëviz për asnjë moment dhe sot është në vendnumëro.Sot përfaqësuesit shqiptarë reklamohen me meritat e të tjerëve, më saktë me një festë të alfabetit që ka vulën e partisë së Thaçit.Për dallim nga pasardhësit e politikës shqiptare, PDSH krijonte, themelonte, këta tjerët vetëm festojnë pa peshë për të mbuluar dështimet dhe ta shpërqendrojnë vëmendjen gjetkë.
PDSH-ja kishte vulën e saj në shumë procese që lidhen me afirmimin kulturor dhe politik shqiptar. Festat kombëtare nuk ishin vetëm data në kalendar. Kishin atmosferë, kishin pjesëmarrje, kishin simbolikë.
Flamuri shqiptar nuk ishte vetëm një simbol që nxirrej në raste protokollare. Ai valonte nëpër shtëpi dhe nëpër qytete, sepse njerëzit e ndjenin se ajo që festonin kishte mbështetje dhe peshë.
Sot, shumë shqiptarë e shohin ndryshe.
Sot festat shpesh duken si një detyrim formal. Kujtohen datat, por ka humbur kuptimi. Përmendet historia, por mungon fuqia politike që duhet ta mbrojë atë ndjenjë.
Në kohën kur PDSH-ja ishte faktor, edhe ata që ishin në pushtetin maqedonas, detyroheshin të përballeshin me realitetin politik shqiptar dhe të ishin pjesë e disa ceremonive. Sot, sipas shumë qytetarëve, shqiptarët ndoshta kanë më shumë përfaqësues në pushtet, por më pak ndjenjë ndikimi.
Dhe ky është paradoksi më i madh.
Si mund të kemi më shumë poste, por më pak peshë?
Si mund të kemi më shumë zëra në institucione, por më pak ndikim në jetën reale?
Shumë shqiptarë sot thonë se gabimi më i madh ishte largimi i një force politike që, pavarësisht të metave dhe kritikave, kishte krijuar një identitet të qartë politik. Menduan se po largonin një problem, por sollën një zhgënjim edhe më të madh.
Prandaj rikthimi i PDSH-së nuk shihet më vetëm si rikthim i një partie.
Për shumë mbështetës të saj, ai shihet si një mundësi për rikthimin e një epoke ku shqiptarët ndjenin se kishin peshë, zë dhe dinjitet.
Sepse çështja nuk është vetëm kush qeveris.por a ndihen shqiptarët të përfaqësuar?
Sot, pas shumë zhgënjimeve, shumëkush beson se kthimi i PDSH-së mund të jetë shpresa e fundit për ta kthyer atë ndjenjë të humbur ,pra ndjenjën se flamuri nuk valon vetëm në festa, por edhe në vetëdijen politike të një populli.