Nasim Haradinaj para gjykatës në Hagë.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka njoftuar se Nasim Haradinaj duhet të respektojë kushtet e vendimit të dënimit të tij, duke e paralajmëruar se “intervistat e tij në media pa leje paraqesin shkelje të rëndë”.

Trendafilova ka bërë të ditur se ka dhënë një paralajmërim të fundit për Haradinajn, duke shtuar se çdo shkelje e ardhshme do të sjellë kthimin e tij në paraburgim të menjëhershëm.

“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatën për media.

Nasim Haradinaj ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burg për shkelje të fshehtësisë së procedurës në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe ishte liruar me kusht në dhjetor të vitit 2023.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume