Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe bashkëpunëtorët e tij, sot e pritën në takim pune Rektorin e Universitetit Karabuk nga Turqia, Prof. Dr. Fatih Kirisik të shoqëruar nga Lect. Adnan Ucar dhe Assoc. Prof. Dr. Recep Demirsoz.

Në kuadër të kësaj vizite, drejtuesit e këtij universiteti nga Republika e Turqisë nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës. Ky memorandum përfshin bashkëpunimin në mes dy institucioneve, në disa fusha ku do të përfitojnë të dyja palët, siç janë: shkëmbimi i stafit akademik, organizimi i projekteve të përbashkëta kërkimore – shkencore, mësimdhënia dhe mbikëqyrja e përbashkët e studentëve, pjesëmarrja e përbashkët në seminare, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, panele diskutimi, punëtori e konferenca shkencore, shkëmbimi i mundshëm i studentëve përmes programeve të ndryshme të parapara nga të dyja institucionet si dhe pjesëmarrja e studentëve në programet “Study Abroad”. Memorandumet e këtilla ndërmjet universiteteve nxitin dhe forcojnë lidhjet akademike dhe kërkimore ndërmjet institucioneve nënshkruese, sikundër janë mundësi e mirë për studentët dhe profesorët të përfitojnë nga përvoja dhe ekspertiza e studiuesve eminentë dhe po ashtu të njihen me kulturën e njëri-tjetrit.

Pas nënshkrimit të memorandumit, Rektori, Prof. Dr. Fatih Kirisik i ka vizatuar ambientet e kampusit të Universitetit të Tetovës si dhe Laboratorin për testim dhe kontroll të materialeve ndërtimore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume