Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se do të punojnë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për të ruajtur përfitimet e Marrëveshjes së Prespës, pasi kryeministri Hristijan Mickoski nuk e përdori emrin kushtetues të vendit në deklaratat publike gjatë samitit të NATO-s në Uashington, informon PRESSonline.al

Kur u bë kryeministër, Mickoski tha se në një kontekst zyrtar vendin do ta quante Maqedoni në përdorim të brendshëm, ndërsa Maqedoninë e Veriut në përdorim të jashtëm.

Në pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do të bisedojnë me qeverinë e re sepse kryeministri nuk e ka përdorur emrin zyrtar të vendit as në Uashington, nga Departamenti i Shtetit thonë se Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë marrëveshje jetike.

“Marrëveshja e Prespës ishte një arritje historike në zhbllokimin e arritjeve të sigurisë në Evropën Jugore dhe Lindore. Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë marrëveshje jetike, ritheksojnë rëndësinë e respektimit të saj dhe do të punojnë me të gjitha palët për të ruajtur përfitimet e saj”, thuhet në përgjigjen e DASH për Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, përcjell PRESSonline.al

Për tre ditët e fundit gjatë samitit të NATO-s në Uashington, Mickoski në deklaratat dhe shkrimet e tij publike në rrjetin social X, shtetin e quajti Maqedoni. Ai deklaroi publikisht emrin zyrtar të vendit disa herë gjatë një debati në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.

Mirëpo, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë një konference për mediat greke në Samitin e NATO-s në Uashington, tha se kryeministri Mitsukoski përdori emrin kushtetues të vendit në takimet zyrtare të të gjithë liderëve të NATO-s.

Samiti i NATO-s në Uashington ka përfunduar, por nuk ka informacione zyrtare nëse Mitsotakis dhe Mickoski janë takuar gjatë mbajtjes së tij.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume