Ajo që po ndodh aktualisht në skenën politike të Serbisë me fillimin e fushatës elektorale nuk është thjesht një garë e brendshme për pushtet, por një tregues i qartë i planeve gjeopolitike që kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e rajonit tonë, shkruan Avni Islami, analist dhe ekspert i çështjeve të sigurisë.

Sipas Islamit, nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe strategjike, zhvillimet e fundit dokumentojnë një agjendë të rrezikshme të sponsorizimit shtetëror të terrorit dhe luftës hibride.

Pastrimi i plotë i dyshimeve për ngjarjet në Banjskë dhe sulmet sabotuese ndaj infrastrukturës kritike, siç ishte rasti me kanalin e Ibër-Lepencit, tregon një vijë të qartë të një komande shtetërore.

Dalja e hapur e Milan Radoiçiqit në fushatë në mbështetje të strukturave të Vuçiqit vërteton përfundimisht se këto akte agresioni nuk ishin të izoluara, por operacione të mirëorganizuara me mbështetjen e plotë logjistike dhe politike të Beogradit zyrtar.

Këtij skenari kërcënues i shtohet edhe shfaqja e Aleksandar Vulinit me platformën e ashtuquajtur “Bota Serbe”, e cila përkthehet si një thirrje e hapur për rishikim të kufijve dhe cenim të sovranitetit të shteteve fqinje ku jetojnë komunitete serbe.

Ky koncept hegjemonist përbën një strategji të pastër të luftës hibride që synon nxitjen e separatizmit dhe destabilizimit të brendshëm në rajon.

Për më tepër, deklaratat e Vulinit për një orientim përfundimtar të Serbisë drejt Rusisë konfirmojnë projektin e Beogradit për të shërbyer si satelit dhe urë lidhëse e ndikimit të Moskës në zemër të Ballkanit. Kjo aleancë strategjike rrit ndjeshëm rreziqet që lidhen me spiunazhin, sulmet kibernetike dhe provokimet e mundshme ushtarake.

Në këtë situatë, kur strukturat shtetërore serbe rreshtohen hapur pas eksponentëve të dhunës dhe doktrinave radikale, institucionet tona të sigurisë duhet të rrisin vigjilencën operative dhe të koordinojnë çdo hap me aleatët strategjikë si NATO, SHBA dhe BE, pasi siguria rajonale po përballet me një sfidë serioze.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume