Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, së bashku me përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim, ka zhvilluar një takim me qytetarët në Gurguricë, ku ka prezantuar vizionin për të ardhmen e Komunës së Bërvenicës dhe programin e kandidatit për kryetar komune, Arkin Jahiji.

Përmes një postimi, Ahmeti theksoi se Bërvenica meriton përfaqësim dinjitoz, të përgjegjshëm dhe në shërbim të interesave të qytetarëve. Ai nënvizoi rëndësinë e një udhëheqjeje që mbron vullnetin e qytetarëve dhe nuk lejon që e ardhmja e komunës të vendoset nga të tjerët.

Ahmeti gjithashtu kritikoi zhvillimet politike të një viti më parë, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe se Bërvenica duhet të ketë një përfaqësim që garanton dinjitet dhe përgjegjësi.

Ai u shpreh i bindur se qytetarët e Bërvenicës e dinë se ku qëndron alternativa për një të ardhme më të mirë, duke veçuar Arkin Jahijin, vizionin e tij dhe përkushtimin për zhvillimin e komunës.

Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti përcolli një thirrje për dinjitet, përfaqësim dhe zhvillim, duke mbështetur kandidaturën e Arkin Jahijit për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

“Bërvenica meriton dinjitet, përfaqësim dhe zhvillim! Arkin Jahiji, kryetar i Bërvenicës!”, përfundoi Ali Ahmeti.