“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, ishte një pjesë e deklaratës së Presidencës së Republikës së Kosovës në ditën kur dhe ndodhi incidenti me të parën e shtetit në aeroportin e Shkupit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Për dallim nga ky institucion shtetëror, Kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës së tij sot në Maqedoninë e Veriut, ku dhe u pyet për incidentin e Presidentes Osmani, ai deklaroi se institucionet e Kosovës se kanë quajtur provokim atë që ka ndodhur.

Kreu i ekzekutivit kosovar, në pyetjen e drejtuar nga një gazetar “Nëse e sheh si provokim rastin, ashtu siç ka deklaruar Kosova”, Kurti tha se një gjë të tillë mund të kenë thënë vetëm qytetarët, por s’është qëndrim i institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Nuk e di që kemi pasur qëndrim të tillë si institucione se ka qenë provokim, mund ta ketë thënë dikush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashthme dhe Diasporës ka dhënë qëndrimin e saj që është qëndrim i Republikës së Kosovës, po ashtu kemi parë edhe qëndrimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut. Besoj se duhet të synojmë të vërtetën dhe assesi tensionimin. Pra le të zbardhet rasti, janë institucionet që e bëjnë këtë. Ne s’mund të bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe zyrtarin policor edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit. Po bëhemi ngadalë, por sigurt, ekspertë të shumë detajeve teknike, por besoj që sa i përket thelbit të gjësë jemi përgjigjur dhe masat po ndërmerren”, ishte deklarata e Kurti në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e RMV-së, lidhur me incidentin e së enjtes në aeroportin e Shkupit.

Sipas Kurtit, do të ketë një raport në tërësi dhe të hollësishëm lidhur me rastin.

Por, pavarësisht kësaj, kryeministri kosovar deklaroi se as ai vet, por edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, s’mund të bëjnë edhe mbikëqyrësin e sigurimit të aeroportit.

“As unë as kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut s’mund të bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe zyrtarin policor edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit”, tha mes tjerash Kurti.

Të enjten e 1 gushtit, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është përballur me një incident diplomatik në Aeroportin e Shkupit, ku sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume