Gjermani është tronditur nga një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku një makinë ka hyrë me shpejtësi duke marrë përpara turmën e njerëzve.

Zëdhënësi i qeverisë Matthias Schuppe ka konfirmuar se indikacionet e para tregojnë për një sulm.

Ngjarja ndodhi në orën 19:04. Automjeti i përfshirë mësohet të jetë “BMW”, me ngjyrë të errët, drejtuesi i së cilës është arrestuar menjëherë më pas.

Si pasojë e sulmit numri i të plagosurve është i lartë, ndërsa deri më tani janë konfirmuar tre viktima.

Pamjet e kamerave të sigurisë janë tepër të rënda dhe tregojnë makinën që fluturon në drejtim të tregut të Krishtlindjeve duke shpërndarë njerëzit që godet në drejtime të ndryshme.

Tregu i Krishtlindjeve u mbyll dhe është rrethuar nga forca të shumta policie dhe dhjetëra ambulanca, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që njerëzit të largohen nga qendra e qytetit.
“Për shkak të ngjarjeve aktuale, dëshirojmë t’ju këshillojmë të shmangni tregun e Krishtlindjeve. Ju lutemi lërini shërbimet e urgjencës të bëjnë punën e tyre dhe largohuni nga tregu në mënyrë të rregullt!”, thuhet në një njoftim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume