U mbajt Komiteti i parë Drejtues i projektit Twinning Light të BE-së për hartimin e Rregullores për zbatimin e Ligjit Doganor – përkushtimi i lartë i Drejtorisë së Doganave në zbatimin e projektit dëshmon angazhimin e fortë për përshpejtimin e integrimit në BE.
Drejtoria e Doganave, me ekspertizën e Drejtorisë së Doganave të Republikës së Kroacisë, po punon intensivisht në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së, si dhe në modernizimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe përshtatjen e tyre me sistemet që përdoren në BE, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian.
Në praninë e drejtorit Boban Nikollovski, drejtorit të Drejtorisë së Doganave të Republikës së Kroacisë, Mario Demiroviq, si dhe një përfaqësuesi të Delegacionit të BE-së, u mbajt Komiteti i parë Drejtues i projektit Twinning Light të BE-së për hartimin e Rregullores për zbatimin e Ligjit Doganor, në përputhje me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian, ku u theksua përparimi i mirë i projektit.
Në mbledhjen e Komitetit u konstatua se përkushtimi i lartë në këto procese dëshmon angazhimin e Drejtorisë së Doganave për zbatimin e reformave që synojnë përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.
„Ky projekt është pjesë e rëndësishme e aktiviteteve reformuese të Drejtorisë së Doganave dhe e përgatitjeve tona për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë është të krijojmë një kornizë ligjore moderne, funksionale dhe të zbatueshme, e cila do të mundësojë procedura doganore efikase, siguri juridike dhe veprim në përputhje me standardet evropiane.
Dëshiroj të theksoj se të dy komponentët e këtij projekti – harmonizimi i legjislacionit dhe modernizimi i sistemeve informatike doganore – duhet të zhvillohen paralelisht, sepse zgjidhjet e reja ligjore duhet të mbështeten nga sisteme përkatëse të TIK-ut, ndërsa zhvillimi i tyre duhet të bazohet në nevojat reale ligjore dhe operative të Drejtorisë së Doganave“, theksoi Nikollovski.
Përmes harmonizimit të legjislacionit do të mundësohet qarkullim më i shpejtë i mallrave dhe ulje e kostove administrative, sigurimi i sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe rregullave të barabarta sipas standardeve evropiane, si dhe funksionimi plotësisht digjital i proceseve doganore dhe harmonizimi i tyre me sistemet që përdoren në BE.
„Ministria e Financave dhe Drejtoria e Doganave e Republikës së Kroacisë, në kuadër të bashkëpunimit institucional doganor ndërkombëtar, i kanë dhënë prioritet ndihmës administrative dhe teknike për Drejtorinë e Doganave të Maqedonisë së Veriut, dhe si partner binjakëzimi në këtë projekt, ne vëmë në dispozicion ekspertët tanë më të mirë për transferimin e njohurive, si në zbatimin e legjislacionit doganor të BE-së në sistemin kombëtar të rregullativës doganore të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe në përgatitjen dhe zbatimin e ndërtimit teknik dhe përshtatjes së sistemeve informatike doganore që mbështesin zbatimin e legjislacionit.
Partneriteti ndërmjet dy administratave doganore përfaqëson konfirmim dhe realizim të përcaktimit strategjik të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, i cili është zyrtarizuar edhe përmes marrëveshjes ndërqeveritare të nënshkruar në maj të këtij viti në Ohër. Në këtë drejtim, mbështetja jonë mbetet e përhershme dhe e vazhdueshme“, deklaroi Demiroviq.

