Shkruan: Florim Zeqa, 29.01.2025

Fjalët e bukura të liderëve në fushatë zgjedhore u gjasojnë këngëve që nënat dhe gjyshet tona dikur moti ua këndonin fëmijëve duke i përkundër në djep para se t’i vënin në gjumë!

Tapshin tapshin tralala për Ylberin gjumë nuk ka!

Tapshin tapshin tralala lumë kjo nënë që e ka!

Që e ka e që e don këngë të mira i këndon!

Tapshin tapshin tralala lum Ylberi n’gjumë ka ra!

Lum ka ra e me gëzim rritma birin e t’bëhet trim!

Vargjet e mësipërme të nxjerra nga një këngë e vjetër për fëmijë, e përkthyer në gjuhën politike i bie kështu:

Tapshin tapshin tralala për liderët gjumë nuk ka!

Tapshin tapshin tralala lumë ky popull që i ka!

Që i ka e që i don vota të mira ju dhuron!

Sigurisht që me të përfunduar fushata zgjedhore, liderët partiakë i braktisin djepat (sallat dhe palestrat sportive) dhe do ta braktisin elektoratin e vën në gjumë të thellë dhe letargjik njëmujorë!

Për çka, ditën e votimit symbyllur dhe të hipnotizuar nga mashtrimet e gjata, qytetarët do t’i votojnë partitë e preferuara dhe 2-3 kandidat të pëzgjedhur për deputet, ngase shtatë të tjerët do t’i votojnë në pako sipas preferencave të liderëve partiakë.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të fitojnë ata që i votojmë, por nuk e di, se a do ta kemi edhe qeverinë që e meritojmë, siq e thotë një fjalë e urtë italiane: “Ogni popolo ha governo che si merita” (Çdo popull e ka qeverinë që e meriton)!

Asnjë qeveri nuk pikë nga qielli, por del nga populli i cili e voton. Por, problemi është tek rrethanat “atmosferike” dhe përgjumosja e popullatës, të cilat ndikojnë në formimin e qeverive! Sa më e përgjumosur të jetë popullata në ditën e zgjedhjeve, aq më e dobët do të jetë qeveria nesër dhe e kundërta, këndellja e popullatës në ditën e votimit do t’i vë në gjumë katërvjeçar ata që nuk e meritojnë të qeverisin me vendin.

Një është e sigurtë, deri në fund të fushatës zgjedhore, nuk do të ketë gjumë për liderët partiak!

Florim Zeqa, 29 Janar 2025

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume