Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi sot se shteti hebre do të përgjigjet me forcë ushtarake nëse qeveria siriane nuk i mbron druzët, pasi përleshjet ndërfetare pranë Damaskut në ditët e fundit kanë sjellë më shumë se 100 viktima.

Nëse sulmet kundër druzëve vazhdojnë dhe regjimi sirian nuk arrin t’i parandalojë ato, Izraeli do të përgjigjet me forcë të konsiderueshme”, tha Katz në një deklaratë.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i bëri thirrje më herët sot bashkësisë ndërkombëtare “të mbrojë pakicat në Siri, veçanërisht druzët nga regjimi dhe bandat e tij terroriste”.

Ushtria izraelite njoftoi dje se kishte evakuuar tre qytetarë druzë nga Siria me qëllim që t’u ofronte atyre trajtim mjekësor në Izrael.
Të mërkurën, kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se ushtria izraelite kreu një sulm paralajmërues kundër “ekstremistëve” që po përgatiteshin të sulmonin anëtarët e pakicës druze në qytetin sirian Shahnaya.
Gjithashtu, shefi i shtabit të forcave të armatosura izraelite, Eyal Zamir, urdhëroi ushtrinë të jetë gati për të goditur objektivat qeveritare në Siri në rast të akteve të reja të dhunës kundër komunitetit druze në atë vend.