Shkup, 09 maj 2025 Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, iu bashkua aksionit nacional për pastrimin e mbeturinave “Fundjava e Pastrimit”, që këtë vit nisi me pastrimin e Akvaduktit të Shkupit – monument historik e kulturor me rëndësi të veçantë për qytetin.

Aksioni, i organizuar nga Men & Mountain, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve tjera shtetërore, përfshiu mbi 200 vullnetarë, ndërsa do të zhvillohet në më shumë se 500 lokacione në të gjithë vendin, me pjesëmarrjen e mbi 20.000 qytetarëve.

“Në rrugën tonë drejt Evropës, duhet të sillemi në mënyrë evropiane. Mjedisi dhe trashëgimia kulturore kërkojnë respekt, kujdes dhe veprim të përbashkët. Këto iniciativa tregojnë fuqinë e përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë. Mbështetja jonë si Ministri dhe si Qeveri është e pakushtëzuar”, deklaroi Mexhiti.

Në ngjarje morën pjesë edhe Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, përfaqësues nga BNJVL, komunat e Kisela Vodës dhe Çairit, Birraria e Shkupit, Kryqi i Kuq, ambasadorë, personalitete publike dhe shumë vullnetarë.

Aksioni vazhdon më 10 dhe 11 maj, me përfshirjen e institucioneve, shkollave, organizatave qytetare dhe individëve nga i gjithë vendi – me qëllim ngritjen e vetëdijes publike dhe krijimin e një mjedisi më të pastër, më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë.





Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume