Ushtria izraelite vrau sot 20 palestinezë të tjerë pranë një pike për shpërndarjen e ndihmave në Rripin qendror të Gazës, transmeton Anadolu.

Duke cituar burime mjekësore, agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se 20 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në zonën e Korridorit Netzarim.

Të martën, zyra e medias e autoriteteve lokale të Gazës tha se ushtria izraelite ka vrarë mbi 160 palestinezë që kërkonin të merrnin ndihmë nga pikat e shpërndarjes së ndihmave të mbështetura nga Izraeli në Gaza që nga fillimi i mekanizmit më 27 maj.

Mekanizmi izraelit është refuzuar dhe kritikuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Ndërkohë, ushtria izraelite vrau gjithashtu katër palestinezë të tjerë në një sulm me dron në një tendë për persona të zhvendosur në zonën Al-Mawasi të Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë gati 55.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume