Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejd, ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson ai, përjashtimit sistematik të diasporës shqiptare nga institucionet dhe proceset vendimmarrëse nga ana e qeverisë aktuale VMRO-VLEN.

Në një deklaratë publike, Rexhepi tha se diaspora shqiptare nuk është fshirë nga qeveria e kaluar (LSDM-BDI), por ishte përfshirë në regjistrim përmes një formule të ndryshme teknike. Sipas tij, ishte qeveria aktuale ajo që “e largoi diasporën nga buxheti për vendlindjet, e përjashtoi nga punësimet publike dhe e zhduku nga përfaqësimi në këshillat komunalë”.

Më poshtë shkrimi i plotë i Rexhepi – Zejd:

NUK MBULOHET DIELLI ME SHOSHË – 29.52% ËSHTË MERITË E JONA!

Diasporën shqiptare nuk e fshiu Qeveria e kaluar (LSDM-BDI), ajo e përfshiu në regjistrim, por vetëm e formatizoi ndryshe.

Diasporën shqiptare e fshiu brutalisht kjo qeveri aktuale antishqiptare (VMRO-VLEN):
– e larguan nga buxheti i vendlindjeve të tyre,
– e përjashtuan nga punësimet publike,
– e zhdukën nga përfaqësimi në këshillat komunalë.

Thjesht: kjo qeveri e përjashtoi diasporën shqiptare nga çdo segment institucional dhe shoqëror.
Dhe pikërisht përfaqësuesit e VLEN-it, ishin ata që në asnjë moment nuk e ngritën zërin për të kundërshtuar këtë qasje diskriminuese ndaj mërgatës shqiptare, me asnjë deklaratë qoftë në seancë qeveritare qoftë në rrjetet sociale.

VLEN-i heshti dhe bashkëfajësohet në këtë fshirje të qëllimshme dhe sistematike të mërgatës shqiptare.
Por kur Qeveria VMRO-VLEN ishte gati të fshinte edhe gjurmën e fundit institucionale të diasporës shqiptare, ishim NE – ata që nuk heshtëm ndaj këtij nënshtrimi të turpshëm – ndërhymë me iniciativën tonë në Gjykatën Kushtetuese, dhe si rezultat u hoq klasifikimi “jo-rezident”, dhe falë kësaj iniciative sot shqiptarët llogariten sa ishin regjistruar: 29.52%.

Si pasojë e këtij suksesi, sot, pranojmë me krenari falënderimet që na vijnë nga shoqata të diasporës dhe bashkëatdhetarë të shumtë nga mërgata – sepse ata e dinë se kush qëndroi në mbrojtje të dinjitetit dhe ekzistencës së tyre politike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume