Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot vizituan lagjen e Hasanbegut, ku ndoqën nga afër punimet për ndërtimin e Kanalit të ujërave atmosferike, që kalon përmes kësaj lagjeje.
Mexhiti gjatë vizitës tha se prej shumë vitesh, Hasanbegu ka pritur realizimin e që është premtuar e sërpremtuar nga qeveritë e kaluara, por që kurrë nuk u realizuan.
‘Kjo lagje ka paguar shtrenjtë lënien në haresë të këtij kanali, ka paguar me jetë njerëzish joseriozitetin e BDI-së dhe funksionarëve të shumtë të saj lidhur me ndërtimin e këtij projekti. Vërshimet në vitin 2016-të, morën 23 jetë njerëzish dhe shkaktuan dëme të pallogaritshme, dhe një ndër arsyet kryesore ishte mungesa e kanalit adekuat’ tha Mexhiti.
Ai informoi se së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin dhe kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovskin, po ndjekin me vëmendje punimet dhe dinamikën e relaizimit të ndërtimit të këtij kanal jetik për lagjen e Hasanbegut, të cilin ashtu siç e premtuan, po e realizojnë.
‘Me një buxhet prej 38 milionë denarësh, 21 milion të siguruara nga Ministria e Ekologjisë për fazën e parë dhe 17 milion denarë nga Komuna e Gazi Babës për fazën e dytë, po ndërtojmë këtë kanal me gjatësi prej 1350 metra dhe gjërësi deri në 10 metra i gjerë, duke sjellë përmes ndërtimit të tij siguri, mbrojtje dhe dinjitet për banorët’, tha Mexhiti.
Ky investim,shtoi Mexhiti, është dëshmi se kur punojmë bashkë ministritë, pra Qeveria, komunat dhe qytetarët – ne mund t’i japim fund vonesave dhe premtimeve boshe. Hasanbegu meriton zhvillim, siguri dhe investime konkrete.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume