Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë të mërkurën një padi që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame në shkollat e Kosovës, duke konfirmuar se Ministria e Arsimit e ka në dorë të vendosë për rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla.

Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” i kishte kërkuar Supremes ta shpallte të paligjshëm dhe ta shfuqizonte nenin e udhëzimit administrativ 06/2014 të Ministrisë së Arsimit (MASHT) në lidhje me kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta.

Rrjeti kishte argumentuar se udhëzimi administrativ në fjalë nuk mund ta ndalonte ushtrimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë islame, e njohur edhe si hixhab.

Ky rrjet tha në padi se në katër vjetët e fundit kishte pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë në kokë.

Në shtator të vitit të kaluar, autoritetet e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë e kishin larguar nga procesi mësimor një vajzë me inicialet A.D., për shkak të bartjes së shamisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume