Bashkimi Demokratik për Integrim është deklaruar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, për të cilin thonë se është dokumenti më kritik ndër vite dhe konfirmon regres të theksuar të vendit në procesin e integrimit evropian.

“Raporti thekson mungesë totale përparimi në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, ku korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pandëshkuar dhe ndikimi politik në gjyqësor vazhdon të jetë i pranishëm. Komisioni konstaton se institucione kyçe janë të paralizuara, zyrtarë publikë ndërhyjnë në organet e pavarura, ndërsa reformat në drejtësi kanë mbetur në letër”.

“Një ndër mesazhet më të rënda të raportit është se procesi i integrimit evropian është bllokuar nga vetë qeveria aktuale, e cila nuk ndërmori asnjë hap për ndryshimet kushtetuese të dakorduara me BE-në. Për pasojë, vendi nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave dhe nuk lëviz përpara drejt anëtarësimit”, thonë nga BDI.

“Raporti ngre alarme edhe për: rënie të standardeve demokratike dhe polarizim ekstrem politik, presion mbi mediat dhe mungesë të mbrojtjes së gazetarëve, dobësim të luftës kundër korrupsionit, përfshirë skandale me pasoja tragjike, ngecje në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe në funksionimin e administratës”.

“BDI e konsideron këtë raport si dëshminë zyrtare të dështimit të qeverisë aktuale, e cila me paaftësinë, mungesën e vizionit dhe kapjen e institucioneve ka humbur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe ka kthyer vendin pas në procesin euro-atlantik”, thonë nga BDI.

Gjithashtu thonë se ata mbeten forca politike që e ka çuar vendin drejt NATO-s dhe ka hapur negociatat me BE-në.

“Ne do të ndërmarrim çdo hap institucional për të liruar procesin integrues nga bllokada e sotme dhe për t’i kthyer vendit orientimin e qartë evropian. Qytetarët nuk mjaftohen me deklarata patetike të Kryeministrit Mickoski “se ne jemi shumë përpara Shqipërisë në integrimin evropian”, e cila edhe po të jetë e vërtetë është meritë e qeverisej tonë paraprake që mori hapa vendimtar në zhbllokimin e integrimeve Euro-Atlantike. E ardhmja është në Bashkimin Evropian prandaj çdo vonesë është humbje për shtetin dhe për qytetarët”, thonë nga BDI.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume