Gjykata Penale në Shkup e ka pranuar kërkesën e prokurorit hetues për ti dhënë 30 ditë paraburgim Bujar Dardhishtës, ish-drejtor i Drejtorisë së Librave Amë dhe zyrtar në Elektro-Distribucionin e Maqedonisë së Veriut (EEM Distribuim). Së bashku me shtatë të dyshuar tjerë, Dardhishta është dërguar në burgun e Shutkës.

Kjo vijoi pas një aksioni policor të realizuar të mërkurën mbrëma në Kumanovë dhe Shkup, ku u arrestua Dardhishta dhe disa persona tjerë – punonjës në Elektro-Distribucionin e Maqedonisë së Veriut (EEM Distribuim).

Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për, siç thuhet, goditje të një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për vepra penale nga fusha e korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik. Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e konfirmojnë aksionin që u zhvillua në disa qytete në vend.

“Nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, zyrtarë policorë nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB, po realizojnë aktivitete në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale të natyrës financiare-ekonomike. Më shumë detaje do të bëhen të ditura pas përfundimit të aktiviteteve në terren”, njoftoi dje Prokuroria.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume