Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ku u rikonfirmua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e shëndetësisë.

“Me Republikën e Shqipërisë kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm dhe, së bashku me ministren Sala, angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor. Personalish mendoj se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet personelit mjekësor të të dy vendeve kontribuon në përmirësimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor. Njëkohësisht, e informova ministren për angazhimin tonë për forcimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin proaktiv të kapaciteteve kadrovike, me theks të veçantë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve, në përputhje me nevojat e qytetarëve”, – theksoi ministri Aliu.

Në takimin e punës mes ministrave Aliu dhe Sala u diskutua gjithashtu edhe për digjitalizimin, si një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit të sistemeve shëndetësore në rajon.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume