Nga LSDM-ja sot akuzojnë qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se po e rrisin borxhin e vendit përmes huamarrjeve të reja. Sipas partisë opozitare, paralajmërimet e tyre të mëparshme po materializohen dhe shteti po planifikon një huamarrje të re prej 250 milionë eurosh.

Nga LSDM-ja thonë se në seancën e mbajtur më 29 shtator, Qeveria ka miratuar huamarrje deri në 250 milionë euro përmes emetimit të letrave me vlerë të borxhit në tregun financiar ndërkombëtar. Sipas tyre, fondet do të përdoren për mbështetje buxhetore.

“Huamarrje të reja prej 250 milionë eurosh deri në fund të këtij viti. Në vitin 2026 nuk ka më borxhe për t’u paguar. Kjo nuk është për të shlyer borxhet, por për pensionet dhe pagat, sepse nuk ka para në Buxhet, dhe sigurisht për tenderë kriminalë”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Partia opozitare pretendon se, me huamarrjet e reja, borxhi publik ka arritur në rreth 11 miliardë euro, ndërsa, sipas tyre, nëse përfshihen edhe detyrimet ndaj PESR-së dhe ndërmarrjeve të tjera publike, niveli i borxhit tejkalon 63 për qind të BPV-së.

Nga LSDM-ja gjithashtu thonë se “vrima në buxhet” arrin në 900 milionë euro, ndërsa mungesa në Fondin Pensional, sipas tyre, është rreth 1 miliard euro.

“Situata me buxhetin dhe me thesarin kombëtar është katastrofike”, thonë nga LSDM-ja.

Partia opozitare e kritikon qeverinë edhe për rritjen e borxhit publik, duke pretenduar se gjatë dy viteve të fundit ai është rritur për rreth 4 miliardë euro.

LSDM-ja e akuzon qeverinë se po e rrit borxhin pa rezultate të mjaftueshme ekonomike dhe se barra e huamarrjeve të reja do të rëndojë mbi qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume