Krijimi i VLEN-it një parti, Sefer Selemi pyet: Po t’ia heqësh BDI-në dhe VMRO-në, ç’kuptim ka VLEN?
Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar lidhur me debatet e fundit për shndërrimin e VLEN-it në një parti të vetme politike, pas publikimit të një dokumenti nga portali TetovaSot, i cili sipas informatave është përpiluar nga Zeqirja Ibrahimi.
Selimi vlerëson se partitë politike janë organizata kolektive, ku ambicia individuale duhet të harmonizohet me interesin e përgjithshëm, por sipas tij, VLEN nuk përfaqëson një strukturë të tillë funksionale.
“VLEN është një konglomerat interesash individuale dhe kolektivitetesh të ndryshme, një mishmash ideologjish dhe njëkohësisht mungesë e tyre. Është një bashkim i imponuar nga zori dhe interesi, një ‘Frankenstein politik’ i importuar nga jashtë”, ka shkruar Selimi.
Sipas tij, edhe nëse realizohet një shkrirje formale e subjekteve brenda VLEN-it, ajo nuk do të jetë reale, por vetëm një “ngrirje e përkohshme për mbijetesë” deri në ciklin e ardhshëm politik që pritet pas Vitit të Ri.
Në fund të reagimit të tij, Selimi shtron një pyetje provokuese për VLEN-in.
“Po t’ia heqësh BDI-në dhe VMRO-në, çfarë kuptimi ka VLEN?” pyet Sefer Selimi.
Ende mbetet e paqartë nëse ky koalicion do të shndërrohet në një parti të vetme apo do të vazhdojë si bashkim subjektesh politike edhe pse TetovaSot mëson se Adnan Azizi është kundër shkrirjes së Lëvizjes BESA në VLEN.