Pas gati një viti paralize politike, Kosova i rikthehet kutive të votimit të dielën, në një proces që mund të përcaktojë nëse vendi do të bëjë përparim në rrugën e bllokuar drejt Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e shkurtit nxorën një fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e cila mori 42 për qind të votave. Megjithatë, ajo nuk arriti të sigurojë shumicë absolute dhe më pas dështoi të formojë koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Partia e Kurtit e ka futur Kosovën në një izolim edhe më të thellë, pasi qasja e saj populiste e majtë dhe përpjekjet për të afirmuar sovranitetin e Kosovës në veriun me shumicë serbe kanë tensionuar marrëdhëniet si me ShBA-në ashtu edhe me BE-në, duke çuar në masa ndëshkuese”, shkruan revista amerikane “Politico”, edicioni evropian.


Një zëdhënës i Kurtit refuzoi të komentojë për këtë artikull.

Kjo revistë, në artikullin e publikuar online, tha se asnjë nga partitë kryesore opozitare nuk dëshironte të bashkëpunonte me Vetëvendosjen, as nuk i miratoi përpjekjet e shumta të Kurtit për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Kurti madje ofroi të hiqte dorë nga posti i kryeministrit për të qetësuar opozitën, por pa sukses.

Kjo bëri që presidentja Vjosa Osmani të detyrohej të shpallte zgjedhje të parakohshme në nëntor, duke i bërë këto zgjedhje parlamentare të shtatat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Para votimit të së dielës, partitë opozitare si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk tregojnë shenja se do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kurtit.

“LDK, PDK dhe AAK e shohin Kurtin si një populist që ka dëmtuar marrëdhëniet me Perëndimin dhe ka sabotuar anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit në BE”, i tha POLITICO-s Haki Abazi, kandidat për deputet nga AAK-ja.

Abazi ka qenë zëvendëskryeministër nën Kurtin gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019, por më pas u përjashtua nga partia për shkak të mospajtimeve mbi drejtimin politik. “Kurti shihet si figurë toksike dhe përçarëse”, tha Abazi, duke shtuar se kjo është arsyeja pse asnjë nga këto tri parti nuk do të formojë koalicion me liderin e Vetëvendosjes.

Partitë opozitare

Ekziston mundësia që të tri partitë opozitare të formojnë një koalicion për të shmangur një tjetër bllokadë politike, me Abazin që e quan këtë skenar “shumë të mundshëm”.

Megjithatë, deputetja Blerta Deliu-Kodra nga PDK i tha POLITICO-s se “mbetet të shihet se cilët do të jenë numrat”, megjithëse ajo pret që të formohet një qeveri pa Kurtin si kryeministër.

Kandidati i PDK-së për deputet, Hajdar Beqa, i tha POLITICO-s se “qeveria e Kurtit e ka dëmtuar seriozisht procesin e integrimit evropian të Kosovës”, duke theksuar nevojën për një qeveri të re që ta “rikthejë vendin në një rrugë të sigurt drejt BE-së”.

Nga ana tjetër, zëvendësministrja e jashtme në detyrë dhe kandidatja e Vetëvendosjes për deputete, Liza Gashi, tha për POLITICO partia pret mbështetje të gjerë publike.

Ndërkohë, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mbetet “në sirtarët e Bashkimit Evropian”, tha Osmani gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor javën e kaluar. Kosova aplikoi në vitin 2022, por që atëherë është shënuar pak përparim.

Por nëse vendi dështon sërish të formojë qeveri, Kosova rrezikon të humbasë qasjen në Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, pasi duhet të zbatojë reforma për të zhbllokuar fondet.

“Kosova tashmë përballet me një betejë të vështirë për shkak të pesë shteteve [të BE-së] që nuk e njohin, dhe vendi nuk mund t’i lejojë vetes edhe një vit tjetër të humbur për shkak të paaftësisë së politikanëve për të bërë atë për të cilën janë zgjedhur – të ofrojnë zgjidhje, jo të krijojnë probleme”, tha Besar Gërgi, ekspert i integrimit evropian në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, një institut kërkimor në Kosovë.

Qiproja, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën.

I pyetur nga POLITICO se çfarë pret nga zgjedhjet e së dielës, Osmani shprehu besimin se ato do të përmbushin “standardet më të mira demokratike”, do të japin rezultate të shpejta dhe do të mundësojnë formimin e shpejtë të institucioneve qeveritare.

“Interesat e serbëve”

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se shpreson “për një fitore të madhe dhe domethënëse” për partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, duke pritur që ajo të sigurojë mandate për të “përfaqësuar interesat e serbëve, jo të Albin Kurtit”.

BE-ja ka tentuar të përmirësojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Brukselit; megjithatë, pavarësisht viteve të bisedimeve, ky ndërmjetësim ka prodhuar pak rezultate konkrete.

Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje normalizimi në vitin 2023, e cila përfshin njohjen de facto të sovranitetit të njëra-tjetrës. /Klankosova.tv

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com