Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në Fllakë, Durrës, në një zonë të vjetër parkimi autobusësh, ku disa mjete të amortizuara dhe të papërdorura kanë marrë flakë.
Sipas burimeve në terren, autobuzët kanë qenë të parkuar prej kohësh dhe ndodhen pranë zonës së Fllakës. Nuk ka rrezik për përhapje të zjarrit, pasi mjetet janë larg qendrave të banuara.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrëfikëse për të monitoruar situatën. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Njoftimi i policisë
“Rreth orës 13:45, në lagjen nr. 15, Durrës, në parkun e autobusëve në sektorin “Rinia”, ka rënë zjarr në ambientet e parkimit të autobusëve, ku, si pasojë, janë përfshirë nga flakët disa autobusë të vjetër.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, thuhet në njoftim.