Aleanca për Shqiptarët, shpreh shqetësim serioz lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë.

Këto ndryshime përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë universitare, e cila është kategori kushtetuese dhe pjesë e pandashme e rendit juridik dhe demokratik të shtetit. Vendosja e strukturave të reja drejtuese me ndikim politik, mbi organet akademike ekzistuese, cenon parimin e vetëqeverisjes universitare dhe e zhvendos vendimmarrjen nga komuniteti akademik drejt pushtetit ekzekutiv.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se krijimi i mekanizmave të centralizuar për përcaktimin e financimit universitar, përfshirë përcaktimin e shumës totale të mjeteve për universitetet, përbën shkelje të parimeve të menaxhimit financiar publik dhe anashkalon procedurat e përcaktuara me Ligjin për Buxhetin. Financimi, në këtë formë, rrezikon të shndërrohet në instrument kontrolli politik dhe jo në mjet për zhvillim akademik dhe kërkim shkencor.

Po ashtu, ndryshimet e propozuara në procedurat e rekrutimit dhe avancimit akademik nuk garantojnë rritje të cilësisë, por krijojnë kritere përjashtuese dhe selektive që dëmtojnë veçanërisht stafin e ri akademik. Kufizimi i burimeve të vlerësimit shkencor dhe mbyllja e rrugëve alternative të avancimit profesional rrezikojnë stagnimin e sistemit dhe largimin e kuadrove të reja nga universitetet publike.

Vlerësohet gjithashtu se parashikimet për mbylljen e programeve studimore, bashkimin apo fuzionimin e universiteteve pa pëlqimin e organeve të tyre të brendshme, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe me standardet evropiane të qeverisjes universitare. Rritja e kompetencave të centralizuara të ministrisë dhe organeve të varura prej saj e dobëson më tej autonominë reale të universiteteve.

Aleanca për Shqiptarët thekson se reformat në arsimin e lartë duhet të ndërtohen mbi dialog të gjerë me komunitetin akademik, transparencë institucionale dhe respektim të plotë të autonomisë universitare. Çdo reformë që përjashton universitetet nga vendimmarrja për zhvillimin e tyre nuk është reformë, por centralizim i pushtetit në dëm të interesit publik.

Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje institucioneve kompetente që të tërheqin ndryshimet e propozuara dhe të hapin një proces të ri konsultimi me staf akademik dhe përfaqësues të universiteteve, me qëllim ndërtimin e një ligji që garanton autonomi reale, cilësi akademike dhe perspektivë për brezat e ardhshëm.

Arsimi i lartë është interes strategjik kombëtar dhe nuk mund të trajtohet si instrument administrativ apo politik.

Aleanca për Shqiptarët

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume