Në seancën e sotme për pyetje të deputetëve, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, i pyetur për temën aktuale në opinion lidhur me arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Mickoski theksoi se e kupton shqetësimin dhe revoltën e opinionit, madje edhe komentet nga bashkësi të ndryshme etnike, sepse qytetarët ende e kanë të freskët kujtesën se si në të kaluarën pushteti bënte marrëveshje me gjyqësorin.

“Unë si njeri kam qenë politikani më i sulmuar nga i njejti person, Artan Grubi. Ju kujtohet ajo replikë famoze në eufori dhe histeri, e njohur si “pa-pa Micko”. Ju kujtohet se si në Ditën e Faljes (Proçka) u ngritën dronë mbi shtëpinë familjare të motrës sime dhe ajo pronë u paraqit si pasuria ime e fshehur. Ju kujtohet sa herë në deklarata publike nga ana e Artan Grubit dhe të gjithë atyre që në atë kohë ishin pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja, më sulmonin personalisht me pasione të ulëta, me gënjeshtra, shpifje dhe sulme ad hominem. Në fakt edhe sot e kësaj dite nga ana e BDI-së dhe disa funksionarëve të tyre, të cilët për fat të keq nuk janë këtu, objektivi kryesor jam unë. Dhe tani, sipas një logjike të çuditshme, unë si kryetar i Qeverisë dal dhe bëj marrëveshje me ata që duan të shohin fundin tim politik, e disa prej tyre edhe fundin timsi njeri. Mendoj se këtu nuk ka asnjë logjikë”, tha kryeministri Mickoski.

Ai rikujtoi se teza fillestare e opozitës ishte se ka ekzistuar marrëveshje dhe se Grubi ishte liruar, ndërsa pasi u arrestua, qëndrimi i opozitës u bë se BDI-ja po e shpëton Mickoskin, që në fund të ditës, kur u mor vendimi i prokurorisë dhe gjykatës, të thonë se kishte marrëveshje mes Mickoskit dhe Grubit.

“Kjo ishte kronologjia e të gjitha ngjarjeve dhe asnjëra prej tyre nuk ka logjikë të shëndoshë. Vetëm një gjë mund të konkludoj – se Frojdi punon te ata. Atë që mendojnë dhe atë që kanë bërë vetë, mendojnë se e bëjmë të gjithë ne. Mendojnë se nëse ata kanë sajuar procese dhe kanë rrëzuar Qeveri dikur përmes të ashtuquajturit “Revolucion laraman”, me gënjeshtra, konstrukte, shpifje dhe procese të trilluara në gjyqësor, se edhe tani ne punojmë njësoj. Jo. Është shumë e thjeshtë, i arratisuri është siguruar nga organet e rendit. Çdo gjë më tej është vendim i një pushteti tjetër, ai është pushteti gjyqësor dhe nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë. Por nënvetëdija është e çuditshme dhe tani secili prej tyre pyet veten se çfarë di ky person”, theksoi Mickoski, duke shtuar se frika e opozitës është që çështja e Lotarisë të mos zgjerohet në shëndetësi apo në prodhimin e kanabisit.

“Nuk është më Ljupço Kocevski dhe njerëzit rreth tij që të jenë mburoja e tyre e fundit. Tani do të vijë një prokuror i ri i pavarur dhe presim që drejtësia të mbrohet, ndërsa ata që ndërgjegjja u punon janë të shqetësuar dhe flenë vështirë, tani thonë se po vjen fundi. Fakti është se personi është i siguruar dhe tani fillon agonia për disa individë. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Do ta përsëris, i kuptoj plotësisht qytetarët që janë të revoltuar, e mbështes plotësisht revoltën dhe emocionin e tyre, por procesi në vetvete do të japë përgjigje. Koha punon në dëm të tyre. Ka një thënie greke “gjërat e mëdha ndodhin në heshtje” dhe kjo i mundon”, përfundoi kryeministri Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume