Një 34-vjeçar nga Gostivari është arrestuar nën dyshimin se ka vrarë babanë e tij në shtëpinë familjare, njofton policia.
“Më 31.03.2026 në ora 01:50 në Gostivar, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria M.D. (34) nga Gostivari për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘vrasje’”, bëjnë të ditur nga policia.
Sipas njoftimit, rasti është denoncuar paraprakisht nga një anëtar i familjes.
“Paraprakisht, në ora 01:30 në Stacionin Policor Gostivar, një person mashkull ka raportuar se dyshon për vrasjen e një anëtari të familjes së tij. Menjëherë pas denoncimit, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Në shtëpinë familjare është gjetur i pajetë 63-vjeçari nga Gostivari.
“Në shtëpi është gjetur i vdekur K.D. (63) nga Gostivari, me lëndime të dukshme dhe gjurmë dhune në pjesën e kokës, pas çka, për shkak të dyshimit për vrasje, është privuar nga liria djali i tij”, njofton policia.
Sipas deklarimeve fillestare të të dyshuarit, ai kishte pretenduar se babai kishte ndërruar jetë një ditë më parë.
“Sipas deklaratave fillestare të të dyshuarit, babai i tij kishte ndërruar jetë një ditë më parë rreth orës 14:50, pas një rënieje në banjë, por rasti nuk ishte paraqitur te shërbimet kompetente”, thuhet më tej në njoftim.
Për rastin është njoftuar prokurori publik dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pas së cilës do të parashtrohet kallëzim përkatës.TS