Autoritetet hungareze kanë ndaluar dy automjete të blinduara të një banke ukrainase që po bartnin miliona euro kesh si dhe kallëpë të arit.
Shtatë shtetas ukrainas që po e shoqëronin autokolonën u arrestuan. Zyrtarët ukrainas thanë se ukrainasit e ndaluar kishin lidhje të inteligjencës dhe lanë të kuptohej se të hollat mund të kishin prejardhje të dyshimtë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, reagoi ashpër, duke e akuzuar Budapestin për “marrje të njerëzve peng e vjedhje të parave”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kryediplomati ukrainas gjithashtu e akuzoi kryeministrin hungarez me qëndrime pro ruse, Viktor Orban, për sajimin e skandalit për përfitime politike, para zgjedhjeve hungareze që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.
Administrata kombëtare hungareze për taksa dhe dogana tha se kishte hapur një hetim për pastrim parash në lidhje me rastin, duke thënë se dërgesa përbëhej nga 40 milionë dollarë e 35 milionë euro para të gatshme si dhe 9 kilogramë ar. Kjo administratë tha se njëri nga të arrestuarit është “ish-gjeneral i shërbimit ukrainas të inteligjencës”.
Oschadbank, banka shtetërore ukrainase e kursimeve, tha se stafi i saj ishin duke transportuar para të gatshme mes Austrisë e Ukrainës në një “udhëtim rutinor”, të kryer përmes transportit tokësor për shkak të kufizimeve ndaj transportit ajror në Ukrainë.
Megjithatë, drejtori politik i Orbanit, Balazs Orban, hodhi dyshime mbi këtë dërgesë. “Automjete të blinduara plot me para kesh e ar duke lëvizur nëpër Hungari nuk janë ashtu si funksionojnë zakonisht transaksionet financiare legjitime. Pyetja e vërtetë është e thjeshtë: kush qëndron prapa këtyre të hollave dhe çfarë synojnë të financojnë” – shkroi ai në rrjetin X.
Sekuestrimi i parave dhe arit vjen pas një përplasjeje rreth dërgesave të energjisë. Hungaria dhe Sllovakia e kanë akuzuar Ukrainën se qëllimisht po i zvarrit punimet për riparimin e një naftësjellësi, pasi ishte goditur mësa duket nga një dron rus. Si kundërpërgjigje, Orbani i bllokoi me veto sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë si dhe një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën./Nacionale
Hungary detained seven Ukrainians carrying about $82 million in cash and gold on suspicion of money laundering, as Kyiv accused Budapest of taking bank employees hostage https://t.co/aPcI4X4CG8 pic.twitter.com/7zKZNcrfGg
— Reuters (@Reuters) March 6, 2026