Stojan Çifligaroski nga paraburgimi në burgun e Shutkës kalon në arrest shtëpiak, me vendim të gjykatës, pas mendimit pozitiv të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë mendim pozitiv se propozimi i mbrojtjes së të dyshuarit Stojan Çifligaroski është i bazuar dhe se masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.
Këshilli Penal, duke vepruar në kuadër të propozimit të mbrojtjes dhe mendimit pozitiv të prokurorisë, mori vendim për pranimin e propozimit të mbrojtjes si propozim të dakorduar ndërmjet palëve dhe zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Njëkohësisht, gjykata caktoi edhe masën e kujdesit, përkatësisht konfiskimin e dokumenteve të vlefshme të udhëtimit të të dyshuarit, gjithsej dy pasaporta.
Ky vendim bazohet në mendimin pozitiv të prokurorisë, ku thuhet se procedura hetimore është në fazën përfundimtare, si dhe në gjendjen shëndetësore dhe familjare të të dyshuarit, të dëshmuara me dokumentacion mjekësor.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve nga pranimi i tij, por ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e vendimit, njoftuan nga Gjykata Penale.
Çifligaroski u kthye në Maqedoni më 22 shtator të këtij viti. Ai u dorëzua pas disa vitesh arrati dhe kërkohej me fletarrest qendror, të lëshuar me urdhër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Biznesmeni nga Manastiri është i dyshuar në rastin “Zinxhiri”, në të cilin fillimisht u akuzuan 22 pronarë dhe drejtorë të 19 kompanive. Sipas hetimeve, përmes lëshimit të ndërsjellë të faturave për mallra dhe shërbime fiktive, me qëllim që të paguanin më pak ose të shmangnin plotësisht pagesën e TVSH-së, nga fillimi i vitit 2019 deri në fund të vitit 2021, ata i shkaktuan buxhetit dëm prej 8 milionë eurosh.