Donald Trump i ka thënë Australisë se po bën një gabim të tmerrshëm duke i lejuar reprezentueset e futbollit të Iranit të kthehen në shtëpi, pasi u shfaqën shqetësime për sigurinë e tyre pas refuzimit për të kënduar himnin në ndeshjen e tyre të parë të Kampionatit Azisë. Presidenti amerikan i bëri thirrje kryeministrit Anthony Albanese që t’u japë atyre azil.

​Ndeshja e parë e iraneve në kampionatin në Australi koincidoi me fillimin e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, me ç’rast ato bojkotuan himnin para fillimit të duelit me Korenë e Jugut. Komentuesi i radios shtetërore iraniane e përshkroi këtë si “kulmin e pandershmërisë dhe tradhtisë” dhe bëri thirrje që ato të dënohen ashpër. Ato e mbyllën paraqitjen e tyre pasi humbën nga Filipinet me rezultat 2:0.

​”Australia po bën një gabim të tmerrshëm humanitar duke lejuar ekipin e futbollit të femrave të Iranit të kthehet në Iran, ku ka shumë të ngjarë të vriten. SHBA-të do t’i pranojnë nëse ju nuk dëshironi,” shkroi Trump në rrjetin e tij social.

​Burimet konfirmuan për BBC se pesë anëtare të ekipit kanë kërkuar strehim në një shtëpi të sigurt dhe tani janë nën mbrojtjen e Policisë Federale Australiane. Sindikata globale e lojtarëve, FIFPRO, njoftoi paraprakisht se ka shqetësime serioze për sigurinë e ekipit ndërsa po përgatitet për t’u kthyer në shtëpi.

​Futbollistet e kënduan himnin dhe përshëndetën para fillimit të dy ndeshjeve të radhës, gjë që nxiti dyshime se ato kanë marrë kërcënime.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume